THUAJE

Updates from Albi RSS

  • 05:32:48 am on Korrik 14, 2008 | 0 | # |

    Topi: Nuk kërkojmë “Shqipërinë e Madhe”, por Evropën e Madhe”

    “Gjithëpërfshirja e serbëve të Kosovës në institucione, zgjidhja më e mirë”

    Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një interviste të dhënë për agjencinë serbe të lajmeve, “Beta”, deklaroi se Shqipëria dhe shqiptarët kudo që janë nuk frymëzojnë idenë e “Shqipërisë së Madhe”, por atë të Evropës së Madhe, e cila do të jetë një garanci për paqe dhe siguri. Në intervistën e tij, kreu i shtetit shqiptar flet dhe për zhvillimet në Kosovë e Maqedoni…

    Cili është mendimi juaj për gjendjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, sidomos po të kihet parasysh fakti që Shqipëria është një nga vendet që kanë njohur Kosovën dhe në kontekstin e masave të marra nga Serbia kundër këtyre vendeve?

    Marrëdhëniet me Republikën e Serbisë, Republika e Shqipërisë i mbështet në parimet e politikës së saj të jashtme me vendet e rajonit, parimin e reciprocitetit, atë të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal në funksion edhe të një qëllimi madhor, integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike për të kthyer rajonin në një hapësirë paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti, në një terren të politikave të përbashkëta të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Pavarësisht nga qëndrimet diametralisht të kundërta për çështjen e Kosovës, marrëdhëniet tona me këtë vend ravijëzohen si më poshtë: Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe pa paragjykime e kushtëzime duke kontribuar në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit dypalësh në marrëdhëniet politike, shkëmbimet tregtare, lëvizjen e lirë të njerëzve, shkëmbimet kulturore, arsimore, shkencore, turistike, në interes të dy vendeve tona dhe të sigurisë e stabilitetit afatgjatë në rajon. Stabiliteti i rajonit buron dhe varet në një masë të konsiderueshme nga qëndrueshmëria dhe zhvillimi mbi parime demokratike të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy popujve. Për sa i takon Shqipërisë, ajo do të bëjë gjithçka që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të zhvillohen normalisht. Shqipëria mbështet procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Serbisë, duke dëshiruar që edhe ajo të bëhet pjesë e ritmeve tashmë të shpejta të afrimit të Ballkanit Perëndimor me Brukselin.

    Menjëherë sapo u zgjodhët President i Shqipërisë, ju dhatë mbështetjen tuaj për një Kosovë të pavarur, gjë që solli kritika të ashpra nga Beogradi. Më vonë ju deklaruat se një Kosovë e pavarur do t‘i kontribuonte paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan dhe në Evropë. Çfarë arsyesh keni që e mbështesni kaq fort pavarësinë e Kosovës?

    Unë vazhdoj të jem i bindur se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja politike më e duhur jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin. Pavarësia e Kosovës përbënte dhe makthin e fundit politik, por edhe psikologjik të zgjidhjes përfundimtare të procesit shpërbërës të ish-Jugosllavisë, pavarësi e cila respektoi një proces të rëndësishëm dhe transparent të monitoruar nga faktorë ndërkombëtarë me mandate, i cili nuk mund të zgjatej pafundësisht. Proceset e integrimit të rajonit tonë, të cilat janë e vetmja mënyrë për të shpëtuar popujt e tij nga e kaluara e hidhur, janë sa përfshirëse, aq edhe përjashtuese. Politikanët e Kosovës, së bashku me komunitetin ndërkombëtar të mandatuar për statusin e Kosovës, zgjodhën vendosmërisht rrugën e gjithëpërfshirjes si rrugën më të mirë për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës të Serbisë dhe të rajonit tonë. Lindja e shtetit të ri të Kosovës zgjidhi një problem të vjetër, për të cilin të gjithë ishin të ndërgjegjshëm që kërkonte një perspektivë evropiane, duke krijuar një hapësirë të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë shumë të favorshme për investime të rëndësishme dhe për realizimin me sukses të programeve komunitare dhe rajonale me karakter politik, ekonomik, ushtarak dhe social.

    Ju keni deklaruar që Kosova do të jetë një vend sipas standardeve evropiane. Çfarë mendoni për të ardhmen e Kosovës meqë është de fakto një protektorat ndërkombëtar dhe Serbia kundërshton ta njohë pavarësinë e saj?

    Më 17 shkurt 2008 Kosova përfundoi rrugën e vështirë historike dhe filloi përballjen me të ardhmen e saj si shteti më i ri në botë me qeverinë dhe institucionet e veta shtetërore të zgjedhura në mënyrë demokratike. Kosova përbën një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Kushtetutën e saj, duke provuar në mënyrë të pakthyeshme se detyrimet dhe përgjegjësitë shtetërore u takojnë gjithnjë e më shumë autoriteteve vendore dhe më pak komunitetit ndërkombëtar. Deri më sot ajo ka lidhur marrëdhënie diplomatike me 43 shtete të botës dhe ndodhet në një proces njohje edhe nga shumë vende të tjera. Standardet evropiane nuk janë vetëm parime teorike. Ato janë përvoja dhe praktika demokratike, për të cilat qeveria dhe Kuvendi i Kosovës po jep prova si nëpërmjet zgjedhjeve demokratike, ashtu edhe nëpërmjet procesit të vënies në praktikë të paketës “Ahtisari”, për të krijuar një shtet modern, ku qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, ta ndjejnë veten të barabartë, ku familjet të jenë të garantuara të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre sipas kontributeve të barabarta, ku siguria për të ardhmen të jetë më e madhe se fantazma e së kaluarës.

    Në janar ju u shpallët “Qytetar nderi” i Prishtinës, ndërsa Universiteti i Prishtinës ju dha një doktoraturë nderi. Në atë kohë ju folët për fillimin “e një ere të re ekonomike” me Kosovën. Cili është bashkëpunimi në tërësi mes Tiranës dhe Prishtinës?

    Vizita që bëra në Kosovë ishte jo vetëm e rëndësishme politikisht, por edhe e mbushur me shumë emocione dhe vlerësime si në planin institucional, ashtu edhe në atë personal, për të cilën falënderoj politikanët e Kosovës, autoritetet e Prishtinës dhe të Universitetit të Prishtinës dhe të gjithë popullin e Kosovës. Rëndësia dhe përgjegjësia e vizitës sime atje shumëfishoheshin për faktin se ndodhi në momentin kur atmosfera e përgjithshme shfaqte padurim të përligjur për pavarësinë e Kosovës. Mesazhet e mia ishin sa mbështetëse për pavarësinë, aq edhe siguruese dhe shpresëdhënëse se Shqipëria do të zhvillojë një bashkëpunim shumëplanësh me shtetin e ri që do të lindte. Me kënaqësi konstatoj se marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Kosovë po zhvillohen në kuadër të procesit të përbashkët të integrimit në Bashkimit Evropian dhe rajonal, duke u futur në rrjedhën e natyrshme të marrëdhënieve ekonomike të Kosovës me vendet fqinje.

    Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës zhvillohen aktualisht nëpërmjet 35 marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit ekonomik. Disa marrëveshje janë në proces. Tendenca e shkëmbimeve tregtare dhe e lëvizjes së njerëzve ka pësuar një rritje të ndjeshme muajt e fundit edhe për shkak të infrastrukturës së re që po ndërtohet. Autostrada Durrës-Kukës do të kthehet në një arterie të rëndësishme për Kosovën dhe për Serbinë, e cila do t‘i lidhë ato shumë më shpejt jo vetëm me turizmin e Adriatikut të jugut, por edhe me rrugët e vjetra detare të Adriatikut dhe të Mesdheut.

    Shumë vetë kanë ende frikë për krijimin e një Shqipërie të Madhe, si pasojë e pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë. Qeveria e Tiranës e ka mohuar gjithmonë këtë gjë dhe ju keni thënë që kjo nuk do të ketë të bëjë fare me ëndrrat e vjetra dhe se Kosova dhe Shqipëria do të hyjnë në Bashkimin Evropian. A ju kanë cituar në mënyrë të saktë për këtë gjë?

    Dëshiroj të nënvizoj se Shqipëria ka projektuar të ardhmen e saj në mënyrë të palëkundur në NATO dhe BE. Bashkimi Evropian, ku edhe Kosova kërkon të hyjë, ashtu si edhe Serbia, sipas deklaratave të qeverisë së sapokrijuar është një familje ku çdo vend duhet të hyjë me standarde të plotësuara, dinjitet, identitet dhe të qëndrojë si i barabartë mes të barabartëve. E ardhmja e shqiptarëve nuk është Shqipëria e Madhe, por Evropa e Madhe.

    Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Maqedoninë për heqjen e vizave mes dy vendeve. Cili është mendimi juaj për marrëdhëniet në tërësi mes Tiranës dhe Shkupit dhe a mendoni që vendimi i Prishtinës për të shpallur pavarësinë mund të ndikojë mbi shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, për të konsideruar ndërmarrjen e hapave të ngjashëm?

    Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shumë të mira dhe nga të dy palët ka vullnet reciprok për përmirësimin e tyre në të gjitha planet. Unë personalisht takohem shpesh me Presidentin Cervenkovski, me të cilin konstatoj se kemi mendime të përafërta për çështje të karakterit dypalësh, rajonal dhe ato të integrimit. Së shpejti do të takohemi në Durrës. Ne jemi dy vende që po ndjekim me vullnet politik programet e integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe jemi të interesuar të ndërtojmë një rajon të begatë, duke ofruar secili vend aftësitë dhe kapacitet e tij si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal. Në këtë frymë bashkëpunimi është nënshkruar edhe marrëveshja e fundit për heqjen e vizave mes dy vendeve, e cila pret hyrjen në fuqi pas ratifikimit të Parlamentit maqedonas. Në këtë klimë të favorshme dypalëshe, një rol shumë pozitiv e luajnë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, të cilët sipas bindjeve politike japin kontributin e tyre në ndërtimin, demokratizimin dhe integrimin e shoqërisë maqedonase. Pavarësia e Kosovës gëzoi natyrshëm edhe shqiptarët e Maqedonisë, të cilët janë shumë të interesuar që të jetojnë në një rajon ku paqja është e vendosur përfundimisht, ku hapësira e pasigurisë të largohet nga kufijtë e vendit të tyre, ku fryma bashkëpunuese dhe toleranca të bëhen moto e politikave ndërshtetërore në rajon. Faktori shqiptar në rajon ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm, konstruktiv në të gjitha proceset integruese të rajonit tonë, përfshi pavarësinë e Kosovës, i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm se zhvillimi i rajonit vjen vetëm nëpërmjet demokratizimit të politikave, shoqërive dhe liberalizimit të tregjeve. Shqiptarët e Maqedonisë janë pjesë e rëndësishme e kësaj prurjeje të re evropiane.

    Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Maqedoni gjatë zgjedhjeve parlamentare, a besoni se ekziston rreziku i një destabilizimi të ri në Maqedoni dhe më pas, si rrjedhojë, edhe në rajon?

    Demokracitë e reja të vendeve të rajonit janë duke u konsoliduar për të dhënë provën përfundimtare se ato janë të denja të bashkohen me demokracitë e vjetra të kontinentit. Prova e demokracisë shprehet në raportin me votën. Personalisht i dënova publikisht veprimet e dhunshme që u shfaqën gjatë raundit të parë të zgjedhjeve të fundit në Maqedoni, duke menduar se ato nuk përfaqësonin frymën e përgjithshme të partive politike shqiptare dhe aspak aspiratën e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Përsëritja e zgjedhjeve në respekt të ligjit dhe aktualisht formimi i koalicionit qeveritar me BDI-në provojnë se Maqedonia zhvillon normalisht proceset e saj të brendshme demokratizuese dhe integruese dhe aspiron anëtarësimin e saj në NATO dhe Bashkimin Evropian.

    Gjatë negociatave që u zhvilluan, ndarja e Kosovës nuk u propozua zyrtarisht nga asnjëra prej palëve, por ajo është përmendur shpesh në raportet jozyrtare të medias dhe ekspertëve. Sipas mendimit tuaj, a do të kontribuonte një ndarje e mundshme për qëndrueshmërinë e rajonit?

    Shumë shkurt, duke rimarrë atë që kam pohuar më lart. Vetëm pavarësia e Kosovës me kufijtë ekzistues dhe vendosja me të e marrëdhënieve institucionale të mirëbesimit reciprok, nga të gjitha vendet e rajonit, e sidomos nga Serbia, është kontributi dhe mënyra e vetme për të vendosur një paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Dëshiroj të rikujtoj tri parimet bazë të Grupit të Kontaktit, mbi të cilat edhe u bazua tërë procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës: Moskthimi në situatën para vitit 1999, mosndarje dhe mosbashkim i Kosovës apo të një pjese të saj me një vend tjetër. Mosrespektimi ose cenimi i njërit prej këtyre kritereve minon procesin e derisotëm të përcaktimit të statusit, si dhe sigurinë e stabilitetin e rajonit në tërësi.

    Si do t‘i përshkruanit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi?

    Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë shumë të mira dhe karakterizohen nga një bashkëpunim i frytshëm si në planin dypalësh, ashtu dhe në atë shumëpalësh. Si dy vende fqinje ky nivel marrëdhëniesh u atribuohet përpjekjeve të përbashkëta për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, çka i kontribuon edhe një të ardhmeje të sigurt të rajonit në familjen euroatlantike, si synim i përbashkët si i Shqipërisë, ashtu edhe Malit të Zi. Shkëmbimet e delegacioneve të nivelit të lartë, programet dhe projektet e përbashkëta të zhvillimit të vendeve tona, sidomos të zonave kufitare, do t‘u japin një dimension të ri marrëdhënieve tona. Në Mal të Zi jeton një pakicë kombëtare shqiptare e përfaqësuar edhe në Parlamentin malazez dhe e interesuar që marrëdhëniet midis dy vendeve tona të zhvillohen më shumë. Ne vlerësojmë rolin dhe kontributin e tyre dhe i konsiderojmë si një urë lidhjeje dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

    Ju jeni ftuar, së bashku me Kroacinë, për të hyrë në NATO. Para se të ndodhte kjo gjë, ju është dashur të zbatoni një sërë reformash. A do t‘ia dilni mbanë që t‘i përmbushni të gjitha kërkesat për anëtarësim në Aleancë?

    Vendimi i Samitit të Bukureshtit për të ftuar Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësim të plotë në NATO, i pasuar nga nënshkrimi më 9 korrik në Bruksel i marrëveshjeve për pranimin me të gjitha vendet anëtare të Aleancës përbën një moment historik që mbyll me sukses përpjekjet disavjeçare të dy vendeve tona në proceset integruese euroatlantike dhe shënon fillimin e një etape institucionale në marrëdhëniet me aleatët. Ky hap është arritje shumë e madhe e Shqipërisë, vlerësim pozitiv për ecurinë e reformave dhe hap perspektivën e prekshme të saj të sigurisë të lirisë dhe të zhvillimit. Në Shqipëri, anëtarësimi në NATO gëzon një mbështetje plebishitare të publikut, ka një përkrahje të plotë nga mediat dhe ka siguruar një konsensus dhe vullnet të sinqertë politik. Të gjithë janë të vendosur të përmbushin detyrimet politike, ushtarake, ekonomike, që burojnë nga anëtarësimi i plotë në NATO, si e vetmja rrugë për t‘u shkëputur përfundimisht nga tranzicioni i vështirë dhe për të shpejtuar drejt zhvillimit. Ne jemi sa të ndërgjegjshëm për vështirësitë e këtij misioni kombëtar, aq edhe të përgjegjshëm për besimin që partnerët tanë ndërkombëtarë na kanë dhënë në këtë sfidë. Unë kam shumë besim se Shqipëria do ta kapërcejë me sukses këtë detyrim madhor.

     
  • 02:27:50 pm on Mars 10, 2008 | 0 | # |

    Ne provim ti me vure me pa te drejte 7.Duke e ditur mjaft mire se cfare kisha shkruajtur ne provim, une erdha jo per te debatuar me ty,por per te te kerkuar se ku gjendeshin gabimet (sipas teje) qe une ti kisha parasysh,por ti me nje fytyre te nevrikosur me the:

    -Ik dhe pyet shoqet se ta shpjegojne ato ku e ke gabimin!

     Ketu e kuptova mire se ku e kisha gabimin.Gabimi nuk qendronte ne “treguesit makroekonomike” as ne “ciklet e biznesit” por tek vajza jote.

    vazhdon…

     
  • 01:29:48 pm on Mars 10, 2008 | 0 | # |

    Mirseerdhët tek Shqipo.com. Ky është postimi juaj i parë. Këtë postim mund t’a redaktoni ose fshini. Gjithashtu mund të krijoni faqe dhe menaxhoni elementët e kollonës anash. Urime për faqen tuaj të re dhe suksese!